Tragjedi në regbinë franceze, ndërron jetë në moshën 17-vjeçare Cléa Menier

Një tragjedi ka tronditur regbinë franceze. Cléa Menier, një lojtare vetëm 17 vjeçe e Union du Bassin Marmandais, ka ndërruar jetë të shtunën, pasi pësoi një goditje të rëndë në kokë gjatë ndeshjes kundër Agen Agglo Rugby, në Marmande. Lajmi u konfirmua nga Federata Franceze e Regbisë.

Sipas medieve franceze, pas goditjes së marrë në fushë, e reja pësoi arrest kardiorespirator. Ajo u reanimua nga ekipet e emergjencës dhe u transportua me urgjencë në spitalin Pellegrin të Bordosë, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.