Ekipi i madh gjerman, Bayern Munchen, do të arkëtojë 250 milionë euro falë hyrjes së “Viessmann Generations Group” në kapitalin e kompanisë që administron futbollin profesionist të klubit. Kompania e investimeve të familjes Viessmann do të blejë fillimisht 5% të kuotave të FC Bayern München AG. Më pas kuotat mund të shkojnë në 6.7% nëpërmjet një rritjeje të kapitalit.
Sipas “Bild”, kjo lëvizje përfaqëson arkëtimin më të madh të klubit nëpërmjet shitjes së kuotave. Të ardhurat sigurisht që do të ndikojnë në rezervat financiare të bavarezëve, duke fuqizuar më tepër pavarësinë ekonomike. Vlera e transaksionit, në bazë të 5% të kuotave të blera fillimisht, i jep Bayern-it një vlerësim total prej rreth 5 miliardë eurosh.
Për të bërë një krahasim, tre investitorët e mëparshëm, “Adidas”, “Audi” dhe “Allianz” kishin paguar në total 277 milionë euro për të hyrë në kapitalin e klubit. “Adidas” ka paguar 77 milionë euro në 2002-shin, “Audi” 90 milionë euro në 2010-ën dhe “Allianz” 110 milionë euro në 2014-ën.
“Ky hap forcon strukturën e FC Bayern Munchen AG. Po ashtu, një bazë pasurie e përmirësuar kohët e fundit në mënyrë domethënëse, na jep mundësi më të mëdha manovrimi në një periudhë ndryshimesh të vazhdueshme”, – ka deklaruar presidenti i Bayern-it, Herbert Hainer.
“Viessmann Generations Group” është një kompani investimesh e udhëhequr nga 37-vjeçari Max Viessmann. Familja e tij i shiti në 2023-shin sektorin e klimatizimit kolosit amerikan “Carrier Global” për rreth 12 miliardë euro. Max Viessmann, anëtar i këshhillit konsultiv të Bayern-it, do të hyjë tani edhe në këshillin e mbikqyrjes së kompanisë, që do të kalojë nga 9 në 10 komponentë.
Sipas klubit gjerman, burimet e reja financiare janë të destinuara kryesisht për projekte të sektorëve të qëndrueshmërisë, internacionalizimit dhe digjitalizimit. Operacioni forcon gjithashtu kapacitetin financiar të Bayern-it në merkato, në prag të investimeve për fuqizimin e grupit dhe rinovimit të lojtarëve kryesorë.
Pas kësaj lëvizjeje, “Adidas”, “Audi” dhe “Allianz” do të reduktojnë pjesëmarrjen e tyre nga 8.33% në 7.8%, ndërsa “Viessmann” do të shkojë deri në 6.7%. Pjesa tjetër mbetet në duart e shoqatës “FC Bayern München e.V.”, sipas statutit të klubit. Kjo do të thotë se nuk ka më kuota të disponueshme për t’ua shitur investitorëve të tjerë.

