Nike ka arritur një marrëveshje sponsorizimi me Michael Olise, yllin e Bayern Munich, duke e përzgjedhur francezin si një nga imazhet kryesore të markës amerikane për promovimin e këpucëve të futbollit. Lajmi është bërë i ditur nga portali Footy Headlines, i specializuar në informacionet rreth pajisjeve sportive.
Ky bashkëpunim vjen në një moment të rëndësishëm për Nike, e cila po kërkon të forcojë imazhin e saj në tregun e këpucëve të futbollit pas largimit të Kylian Mbappé. Ylli i Real Madridit ka ndërprerë bashkëpunimin me kompaninë amerikane për t’u lidhur me markën zvicerane On.
Marrëveshja me Olise përbën një lëvizje interesante, duke pasur parasysh se sulmuesi anësor kishte refuzuar më parë oferta sponsorizimi nga kompani të mëdha sportive. Francezi preferonte të ruante lirinë për të zgjedhur vetë këpucët me të cilat luan në fushë.
Një nga arsyet që e bëjnë këtë bashkëpunim të veçantë është preferenca e Olise për modelin Nike Hypervenom Phantom III, prodhimi i të cilit u ndërpre në vitin 2019. Pavarësisht kësaj, futbollisti ka vazhduar t’i sigurojë këto këpucë përmes blerjeve në internet, nga vende të ndryshme të botës.

