Yll Gashi zgjedh Kosovën

Yll Gashi, sulmuesi 18-vjeçar i Bayern Munich II, ka vendosur të përfaqësojë Kosovën, duke i dhënë fund pritjes për të ardhmen e tij ndërkombëtare. Sipas raportimeve të medieve, marrëveshja për këtë lëvizje është arritur pas kontakteve mes futbollistit, presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe trajnerit të përfaqësueses, Franco Foda.

Talenti shqiptar, i cili është pjesë e akademisë së Bayernit që prej vitit 2022, pritet të lërë përfaqësuesen U19 të Gjermanisë për t’u bashkuar me Kosovën. Lajmi është raportuar nga “AlbanianScout”, që e konsideron të përfunduar këtë çështje.

Gashi ishte kontaktuar më herët edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila kishte shfaqur interes për ta afruar me përfaqësueset kuqezi. Megjithatë, sipas burimit, sulmuesi nuk kishte dhënë një përgjigje pozitive ndaj kësaj mundësie dhe tashmë ka zgjedhur Kosovën. Vendimi i 18-vjeçarit përbën një zhvillim të rëndësishëm për përfaqësuesen dardane, e cila synon të afrojë talente të rinj me potencial për të ardhmen. Gashi vjen nga një prej akademive më të njohura të futbollit europian dhe shihet si një emër që mund të kontribuojë në vitet e ardhshme.