Interi dhe Milani janë gati të përshpejtojnë projektin për ndërtimin e stadiumit të ri “San Siro” dhe transformimin e zonës përreth, në një investim gjigant që parashikohet të arrijë në 2.3 miliardë euro. Vendimi i Gjykatës Administrative Rajonale (TAR), e cila i shpalli të papranueshme paditë kundër impiantit të ri, u ka hapur rrugën dy klubeve për të avancuar me planet e tyre.
Sipas raportimit të “La Gazzetta dello Sport”, projekti parashikon ndërtimin e një stadiumi modern me kapacitet prej 71.500 vendesh, si dhe një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore dhe tregtare në zonën përreth. Hapi i parë i rëndësishëm financiar është ndërmarrë që në nëntor të vitit të kaluar, kur Interi dhe Milani blenë stadiumin aktual “Giuseppe Meazza” dhe zonat përreth për 175 milionë euro, pa përfshirë zbritjet. Kostot e projektimit vlerësohen në rreth 99 milionë euro.
Ndërtimi i stadiumit të ri, që do të kushtojë rreth 708 milionë euro, pritet të nisë në verën e vitit 2027, me synimin që impianti të inaugurohet në verën e vitit 2031.

