Loris Karius duket se ka gjetur më në fund vendin ku mund të rilindë. Ish-portieri i Liverpoolit po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Schalke 04 dhe statistikat e vendosin në krye të disa kategorive të rëndësishme të Bundesligës.
Karius, i cili u bë i famshëm për gabimet në finalen e Champions League kundër Real Madridit në vitin 2018, pranoi se ajo ndeshje ndikoi rëndë në karrierën e tij. “Deri në atë moment, karriera ime kishte qenë në ngjitje dhe papritur u përplasa me tokën. Madje mendova ta mbyllja karrierën, por isha vetëm 25 vjeç dhe nuk mund të qëndroja në shtëpi”, rrëfeu ai.
“Pritja ndaj Kane ishte e një niveli botëror”, deklaroi Lothar Matthäus, ndërsa Manuel Neuer pranoi se Karius ishte vendimtar që Bayern nuk arriti të fitonte.
Statistikat e konfirmojnë formën e tij. Karius është portieri me më shumë pritje në Bundesligë, 23 gjithsej, ndërsa ka pësuar vetëm katër gola. Sipas të dhënave të Opta-s, ai ka shmangur 4.6 gola të pritshëm (xG), pasi duhej të kishte pësuar rreth 8.6 gola bazuar në rastet e krijuara nga kundërshtarët.
Ish-sulmuesi legjendar i Schalkes, Klaus Fischer, shkoi edhe më tej: “Schalke ka portierin më të mirë jo vetëm të Bundesligës së Dytë, por të gjithë Gjermanisë. Trajneri i Kombëtares duhet të fillojë të mendojë se çfarë portieri ka dhe si luan.”
Edhe pse emri i Kariusit është përmendur për Kombëtaren gjermane, ai vetë nuk dëshiron të merret me këtë mundësi. “Të më lidhin me Kombëtaren për shkak të paraqitjeve të mia është një kompliment, por çdo gjë tjetër nuk varet nga unë”, tha ai.
Në moshën 33-vjeçare, Karius duket se ka gjetur te Schalke vendin ku ndihet më në fund i qetë. “Ndoshta nuk do të firmos shumë kontrata të tjera. Ndihem plotësisht mirë këtu”, u shpreh portieri.
Dhe për momentin, një gjë është e sigurt: në Bundesligë, askush nuk po pret më shumë se Karius.

