Laporta mbështet Yamal për Topin e Artë

Gara për “Topin e Artë” po hyn në fazën vendimtare dhe në Barcelonë kandidatura e Lamine Yamalit është kthyer në një nga temat kryesore, me presidentin e klubit katalanas, Joan Laporta, që ka shprehur hapur mbështetjen për talentin spanjoll dhe dëshirën që trofeu prestigjioz individual të përfundojë në duart e 19-vjeçarit. “Do të më pëlqente shumë që Lamine të fitonte ‘Topin e Artë’. Do të isha i lumtur nëse çmimin do ta fitonte një lojtar ose një lojtare e Barcelonës”, u shpreh Laporta, i cili e vlerësoi maksimalisht edhe talentin e Yamalit: “Lamine është një djalë shumë i pjekur, një gjeni”.

Yamal ka qenë një nga protagonistët kryesorë të Barcelonës në sezonin e kaluar, duke ndihmuar skuadrën të fitojë titullin e dytë radhazi në La Liga, ndërsa pati edhe një rol të rëndësishëm në suksesin e Spanjës në Kupën e Botës. Sezoni i ri ka nisur gjithashtu në mënyrë spektakolare për numrin 10 të Barcelonës, i cili në pesë ndeshjet e para ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë dy asistime, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga yjet kryesorë të futbollit botëror. Në garën për “Topin e Artë”, krahas Yamalit përmenden si favoritë edhe Khvicha Kvaratskhelia, Harry Kane dhe Kylian Mbappé, ndërsa Barcelona ka edhe dy përfaqësues të tjerë në listën e kandidatëve, Rodrin dhe Pau Cubarsín.