Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, po kërkon alternativa të reja për krahun e djathtë dhe në fokusin e teknikut italian ka përfunduar Sabah Kerjota, futbollisti shkodran që po fiton gjithnjë e më shumë hapësira te Hearts në Skoci. Maran ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër paraqitjen e tij në ndeshjen ndaj St Johnstone, ndërsa Kerjota ka hyrë në radarët e Kombëtares pas paraqitjeve të fundit me klubin skocez. 21-vjeçari, i formuar në akademinë e Vllaznisë, shënoi golin e tij të parë për Hearts dhe ka fituar një rol më të rëndësishëm në skuadër. Ai ka startuar në katër ndeshje nën drejtimin e trajnerit Wouter Vankenc dhe, përveç golit të fundit, ka dhënë edhe tre asistime.
Këto paraqitje kanë bërë që Maran ta ndjekë nga afër situatën, me trajnerin e Kombëtares që ishte në tribunë për ta parë në aksion sulmuesin shkodran. Kerjota u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare dhe, pas një periudhe në Itali, në vitin 2025 u transferua te Hearts për rreth 150 mijë euro. Ajo që e bën interesante kandidaturën e tij për Kombëtaren është edhe profili i lojtarit. Kerjota luan si sulmues i djathtë dhe përdor këmbën e majtë, një kombinim për të cilin aktualisht Shqipëria nuk ka shumë alternativa. Në këtë rol, një nga opsionet kryesore të kuqezinjve ka qenë Jasir Asani. Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, Kerjota mund të marrë një ftesë nga Kombëtarja për ndeshjet e ardhshme, ndërsa sfidat e Nations League mund të jenë një mundësi e mirë për Maran që të testojë alternativa të reja përpara eliminatoreve të Kampionatit Europian.

