Partizani-Dinamo dhe Skënderbeu-Tirana, vendosen stadiumet

Java e katërt e Superiores sjell derbin e parë të kryeqytetit, me Partizanin që përballet me Dinamon. “Demat” janë pritës, por vazhdojnë të kenë problemin e mungesës së stadiumit të tyre, pasi rikonstruksioni i “Arenës së Demave” nuk ka përfunduar. Partizani i ka zhvilluar dy ndeshjet e para si pritës jashtë impiantit të vet, ndaj Teutës në Vorë dhe ndaj Laçit në Rrogozhinë. Sipas planit të FSHF-së, derbi me Dinamon është programuar të luhet sërish në Vorë, në orën 16:00. Ora e ndeshjes shihet si problem për shkak të temperaturave të larta dhe faktit që fusha e stadiumit është me bar sintetik. Partizani ende mund të kërkojë ndryshimin e stadiumit, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet për t’u marrë.

Një tjetër ndeshje e javës së katërt është Skënderbeu-Tirana, e planifikuar të premten në stadiumin e qytetit të Korçës. Sipas klubit korçar, impianti është gati dhe ndeshja pritet të zhvillohet sipas planifikimit, në orën 18:30.