Dembélé zbulon favoritët për Topin e Artë: Kvaratskhelia, Kane dhe Mbappé

Topi i Artë 2026 pritet të jetë një nga edicionet më të luftuara të viteve të fundit, me disa emra të mëdhenj që synojnë trofeun prestigjioz. Mes tyre është edhe Ousmane Dembélé, fituesi në fuqi i çmimit, i cili ka zbuluar tre favoritët e tij për këtë vit. Francezi, i cili sezonin e kaluar fitoi gjithçka me Paris Saint-Germainin, nuk e ka përfshirë veten në listën e pretendentëve dhe as Lamine Yamal nuk bën pjesë mes tre emrave të tij të preferuar. “Besoj se ky trofe nuk është në dyshim. Mendoj se do të përfundojë në duart e një lojtari të PSG-së. Tre favoritët e mi? Kvaratskhelia, Harry Kane, i cili pati një sezon shumë të mirë, dhe Kylian Mbappé”, deklaroi Dembélé në një intervistë për “France Football”. Sulmuesi francez u pyet edhe nëse e konsideron veten kandidat për të fituar sërish Topin e Artë, por përgjigjja e tij ishte e prerë.

“Unë? Aspak! Nuk e vendos kurrë veten në këto situata. Nuk votoj kurrë për veten time. Nëse do të më duhej të votoja, nuk do ta bëja”, u shpreh Dembélé. Sa i përket Lamine Yamalit, “ylli” i Barcelonës nuk është në mesin e tre favoritëve të tij, por Dembélé e konsideron spanjollin një kandidat serioz për trofeun. “Ka edhe shumë të tjerë. Michael Olise mund të jetë mes tyre, pasi pati një sezon fantastik dhe ishte lojtari më i mirë i Bundesligës. Edhe Lamine Yamal. Fabián Ruiz, Pacho… Shpesh e harrojmë Pacho-n. Shpresoj të mos e harrojmë këtë vit, sepse e meriton”, shtoi francezi. Fituesi i Topit të Artë 2026 do të shpallet më 26 tetor.