Lazio mendon për Brozovic, mesfushori kroat në listën e klubit

Lazio ka ende tre vende të lira në listën e saj, përveç një hapësire të dedikuar për një futbollist të rritur në akademinë e klubit, dhe për këtë arsye drejtuesit kanë mundësinë të ndërhyjnë në merkato duke parë edhe alternativat mes lojtarëve të lirë. Klubi kryeqytetas nuk ka shfaqur deri tani një dëshirë të veçantë për të bërë afrime të reja, por njëkohësisht nuk e ka mbyllur plotësisht mundësinë për të ndërhyrë në skuadër. Sipas edicionit të sotëm të “Il Messaggero”, një lëvizje e mundshme mund të prekë edhe repartin e mesfushës. Në këtë kuadër, Lazio po vlerëson edhe emrin e Marcelo Brozovic, ish-mesfushorit të Interit, i cili aktualisht është pa klub pas përfundimit të aventurës së tij në Arabinë Saudite me Al-Nassr. Kroati mund të përfaqësojë një opsion interesant për Lazion, e cila ka ende hapësirë për të ndërhyrë në listë dhe mund të shfrytëzojë tregun e lojtarëve të lirë.