Si u planifikua plani i çmendur për rrëmbimin e Kylian Mbappé

Një hetim i prokurorisë së Nanterres ka nxjerrë në dritë një organizatë kriminale që kishte vënë në shënjestër sipërmarrës dhe persona të njohur për pasurinë e tyre. Në krye të saj nuk ishte një kriminel me përvojë, por në mënyrë të pabesueshme një djalë vetëm 18-vjeçar: Clément L. I ndaluar tashmë në burgun e Villepinte për vepra të rënda, ai vazhdonte të jepte urdhra nga qelia përmes smartphone-it dhe aplikacionit Snapchat, duke u tallur me kontrollet e sigurisë. Mes emrave të pranishëm në pajisjet e tij ishte edhe ai i Kylian Mbappé, objektiv i ndjeshëm ndaj të cilit po planifikohej edhe një rrëmbim për qëllime zhvatjeje.

Një histori që i afrohet të pabesueshmes dhe që njëkohësisht nxjerr në pah aftësitë e padiskutueshme hetimore të xhandarmërisë franceze, por edhe boshllëqet e mëdha në sistemin penitenciar. Hetuesit gjetën dy telefona në qelinë e të riut kriminal dhe brenda tyre gjetën 26 adresa të viktimave të mundshme. Krahas sipërmarrësve, argjendarëve dhe një grosisti turk të mishit, shfaqej edhe futbollisti francez i Real Madrid.

Sipas burimeve gjyqësore, Mbappé konsiderohej një objektiv veçanërisht interesant për pasurinë e tij, përveçse për famën e tij. Projekti, ende në fazën fillestare, parashikonte jo vetëm një tentativë të mundshme vjedhjeje, por edhe një rrëmbim për qëllime zhvatjeje, që do të realizohej gjatë një prej vizitave të tij në Paris. Në fund, fatmirësisht, asgjë nuk u krye, duke lënë vetëm në letër qëllimet kriminale. Në të njëjtën listë të kriminelit të mitur figuronin edhe një reper francez dhe biznesmenë të tjerë me pasuri të mëdha: të gjithë objektiva të përzgjedhur për profilin e tyre të lartë ekonomik, edhe pse shumë prej planeve nuk u realizuan kurrë.