Në prag të Çmimit të Madh të Italisë, Flavio Briatore ka folur për raportin mes makinës dhe pilotit në Formula 1, duke theksuar rëndësinë vendimtare që ka teknologjia dhe konkurrueshmëria e makinës. Gjatë një eventi të zhvilluar në Atelier Alpine në Milano, drejtuesi i skuadrës Alpine u shpreh se ekipi duhet të vazhdojë të përmirësohet për t’u dhënë pilotëve një makinë që u mundëson të shfaqin potencialin e tyre.
“Duhet të vazhdojmë të performojmë dhe të bëjmë më mirë se sa po bëjmë tani. Krahasuar me vitin e kaluar, sigurisht që kemi më shumë kreativitet. Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe të përmirësohemi edhe teknikisht, për t’u dhënë pilotëve një makinë që mund të shfaqë talentin e tyre. Kjo është ajo që dimë të bëjmë”, tha Briatore. Ai theksoi gjithashtu se suksesi varet shumë nga njerëzit e duhur dhe puna në grup. “Është çështje e njerëzve të duhur në vendin e duhur dhe e punës me djemtë për të pasur një makinë konkurruese. Fundjavën e kaluar bëmë një hap të rëndësishëm dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë drejtim”, shtoi italiani. Briatore më pas bëri një deklaratë të fortë për peshën që ka makina në rezultatet e Formula 1. “Duhet t’u japim pilotëve një mjet që mund të shfaqë talentin e tyre, sepse tashmë makina përfaqëson 80-85 për qind, ndërsa pjesën e mbetur prej 20 për qind e japin pilotët”, deklaroi ai. Në event ishin të pranishëm edhe pilotët e Alpine, Pierre Gasly dhe Franco Colapinto, ndërsa vëmendja tani është përqendruar te gara e ardhshme në Monza, në shtëpinë e motorsportit italian.

