Diego Moreira ka folur për herë të parë si futbollist i Milanit, pas transferimit të tij nga Strasburgu. Sulmuesi anësor belg është bashkuar me kuqezinjtë në një marrëveshje që kap vlerën e 45 milionë eurove, plus 5 milionë euro bonuse, ndërsa klubi francez do të përfitojë gjithashtu 10% të shumës së një shitjeje të ardhshme të lojtarit.
“Kur mora vesh për interesimin e Milanit? U shokova. Të luash për Milanin do të thotë të fitosh trofe dhe të jesh pjesë e një klubi me një histori të lavdishme, ku kanë luajtur shumë kampionë të mëdhenj. Milani është një klub i madh, me pritshmëri të caktuara dhe mendoj se ky është momenti i duhur për mua për të ardhur këtu”, deklaroi Moreira për kanalet zyrtare të klubit.
Belgu ka firmosur kontratë me Milanin deri më 30 qershor 2031 dhe ka bërë të qartë objektivat e tij me skuadrën e re. “Do të jap gjithçka për shokët e skuadrës, si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje, duke u përpjekur të bëj tifozët tanë të lumtur. Për mua është e rëndësishme të jem i lumtur dhe do të përpiqem të arrijmë objektivat tona, të fitojmë kampionatin dhe gjithçka tjetër që është e mundur të fitohet”, u shpreh ai.
Moreira foli edhe për personalitetin e tij jashtë fushës dhe imazhin që përcjell në rrjetet sociale. “Njerëzit më shohin në rrjetet sociale, ku gjithmonë qesh dhe kërcej, por kjo nuk do të thotë se jam gjithmonë kështu. E di shumë mirë kur është momenti për të punuar. E di çfarë dua nga jeta dhe karriera ime, e di se çfarë duhet për të pasur sukses dhe për të arritur objektivat e mia”, tha belgu.
“E di çfarë dua dhe ku dua të arrij, e di se çfarë duhet të bëj dhe do ta bëj. Gjithmonë buzëqesh, jam gjithmonë i lumtur dhe përpiqem t’i bëj edhe të tjerët të gëzuar. Fjala ‘gëzim’ është më e përshtatshmja për të më përshkruar. Përzierja e kulturave dhe origjinave të mia ka ndikuar në formimin e personit që jam”, shtoi Moreira.
Anësori belg ka zhvilluar tashmë stërvitjen e parë me fanellën kuqezi dhe do të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit për debutimin në kampionat. Moreira pritet të jetë pjesë e skuadrës në transfertën ndaj Torinos, të dielën, më 23 gusht, në orën 20:45. Lojtari i ri i Milanit do të mbajë fanellën me numrin 22.

