Një kthesë e papritur është shënuar në gjyqin për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Maradona, pasi mbrojtja ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë dhe përkatësinë e disa dokumenteve mjekësore të paraqitura si prova në gjykatë.
Gjatë seancës së së enjtes, avokati Agustin Varela, i cili mbron infermieren Nancy Forlini, një nga të pandehurit, pretendoi se disa rezultate të analizave për veshkat nuk i përkisnin Diego Maradonës, por babait të tij. Sipas mbrojtjes, disa prej dokumenteve datojnë që nga viti 2015 dhe rezultatet nuk mund t’i referoheshin gjendjes shëndetësore të futbollistit, pasi në atë periudhë Maradona ndodhej kryesisht në Dubai. Në vitin 2015, Maradona ishte kthyer në Argjentinë për të vizituar babanë e tij, Diego Salustiano Maradona, i cili ndërroi jetë në qershor të atij viti.
Për shkak të pretendimeve të ngritura nga mbrojtja, gjykata vendosi të shtyjë seancën deri më 27 gusht, në mënyrë që të verifikojë se kujt i përkasin dokumentet dhe analizat mjekësore të paraqitura në dosje.