Manchester United merr vendimin për Bruno Fernandes

Manchester United ka marrë një qëndrim të prerë për të ardhmen e Bruno Fernandes, pavarësisht interesimit të disa klubeve të mëdha evropiane për kapitenin portugez. Sipas BBC, “Djajtë e Kuq” nuk kanë ndërmend ta shesin Fernandesin gjatë kësaj vere, pavarësisht ofertave që mund të vijnë për 31-vjeçarin. Fernandes zhvilloi një sezon rekord me Manchester United në Premier League, duke regjistruar 21 asistime, më së shumti nga një lojtar në një sezon të vetëm në historinë e klubit në elitën angleze. Ai u shpall gjithashtu “Lojtari i Vitit në Premier League 2026”.

Galatasaray, Juventus dhe Milan janë përmendur si klube të interesuara për shërbimet e tij, ndërsa gjiganti turk raportohet se po përgatit një ofertë të rëndësishme për ta bindur portugezin të transferohet në Stamboll. Megjithatë, Manchester United nuk dëshiron të përsërisë situatën e verës së kaluar, kur Fernandesit iu la në dorë vendimi për të ardhmen pas interesimit të klubit saudit Al-Hilal. Ky qëndrim thuhet se e kishte zhgënjyer kapitenin.

Fernandes ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij aktuale, me mundësi zgjatjeje për një sezon tjetër. Deri tani, palët nuk kanë arritur marrëveshje për një kontratë të re, ndërsa lojtari raportohet se dëshiron të vazhdojë karrierën në “Old Trafford”. Pavarësisht situatës së kontratës, United ka vendosur që këtë verë Fernandes të mos jetë në shitje, duke e konsideruar atë një pjesë thelbësore të skuadrës dhe një nga figurat kryesore të projektit të klubit për sezonin e ri.