Buskets kthehet te Barcelona me rol të ri

Serxhio Buskets është rikthyer te Barcelona. Tre vjet pas lamtumirës së tij si lojtar i ekipit të parë, legjenda e blaugranave nis një kapitull të ri në klub, duke iu bashkuar Barça Atlètic këtë të hënë si ndihmës i trajnerit të skuadrës B. Mesfushori nga Badia del Vallès i bashkohet stafit teknik të drejtuar nga Huliano Beleti. Ardhja e tij synon të sjellë përvojë të paçmuar dhe njohuri të jashtëzakonshme taktike në dhomën e zhveshjes së ekipit rezervë të blaugranave. Ky emërim vjen në një moment kur Buskets zyrtarisht nis edukimin e tij si trajner. Pasi i dha fund një periudhe të shkëlqyer prej 15 sezonesh në “Camp Nou”, katalanasi luajti për dy sezone e gjysmë me Inter Miamin, përpara se të varte përfundimisht këpucët. Me këtë lëvizje, klubi siguron vazhdimësinë e ADN-së së Barcelonës brenda strukturës së zhvillimit të të rinjve. Dyshja e formuar nga Beleti dhe Buskets premton të jetë një kombinim i eksperiencës, njohurive taktike dhe filozofisë së klubit.