Novak Djokovic nuk kërkoi justifikime pas humbjes së papritur ndaj argjentinasit Thiago Tirante në Cincinnati, por këtë herë pranoi hapur se një problem shëndetësor po ndikon prej vitesh në paraqitjet e tij, veçanërisht në kushte të nxehta dhe me lagështirë. Në një prononcim për mediat serbe dhe “Sportklub”, Djokovic tregoi se nuk ishte hera e parë që përballej me një situatë të tillë.
“Para së gjithash, përgëzoj kundërshtarin tim, ai luajti mirë. Për sa më përket mua, nuk është hera e parë që ndihem kështu dhe imagjinoj se nuk do të jetë as e fundit. Është thjesht një problem shëndetësor që e kam prej disa vitesh. Kam shumë probleme, sidomos kur ka shumë lagështirë dhe vapë. E dija se këto kushte do të më penalizonin”, u shpreh Djokovic.
Serbi sqaroi se nuk ishte vetëm klima ajo që ndikoi në gjendjen e tij. Sipas tij, nervozizmi dhe presioni i një ndeshjeje të rëndësishme e përkeqësuan edhe më shumë situatën. “Ndikuan, por ka edhe të gjitha gjërat e tjera: nervozizmi dhe gjithçka që sjell një ndeshje e tillë. E gjithë kjo e përkeqëson më tej situatën dhe pikërisht kjo ndodhi”, deklaroi 39-vjeçari. Problemet e tij, sipas raportimeve, mund të shoqërohen në kushte të caktuara edhe me episode të të vjellave dhe lodhje ekstreme, duke e bërë shumë të vështirë përballimin e ndeshjeve në temperatura të larta dhe lagështi.
E ardhmja mbetet në pikëpyetje
Humbja në Cincinnati vjen në një moment delikat të karrierës së Djokovic, me eliminime të hershme që kanë shtuar pikëpyetjet rreth të ardhmes së tij. Megjithatë, kampioni serb nuk dëshiron të flasë ende për tërheqjen nga tenisi. I pyetur nëse do të rikthehet në Cincinnati edhe në vitin 2027, Djokovic dha një përgjigje që lë hapur shumë pikëpyetje. “Shpresoj shumë që po, por fatkeqësisht në këtë moment duket më e mundshme që kjo të mos ndodhë. Do të shohim se çfarë do të na sjellë e ardhmja”, tha ai. Vetëm pak ditë më parë, Djokovic kishte deklaruar se ndihej mirë përpara US Open, madje siç nuk ishte ndier prej kohësh pas një turneu Grand Slam. Tashmë, pas situatës së përjetuar në Cincinnati, gjendja e tij fizike dhe mënyra se si do të përballojë temperaturat dhe lagështinë në turnetë e ardhshëm do të jenë ndër temat kryesore që do të shoqërojnë paraqitjen e tij.

