Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) ka nisur bisedimet me Roberto Martínez-in për postin e trajnerit të kombëtares, në një lëvizje që mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në politikën e saj. Sipas gazetës ‘Telegraaf’, trajneri spanjoll 53-vjeçar është takuar në Malaga me Nigel de Jong, drejtorin e KNVB, teksa federata po kërkon me urgjencë pasuesin e Ronald Koeman-it. Martínez është shfaqur si një alternativë pas refuzimit të disa kandidatëve holandezë. Peter Bosz, Arne Slot dhe Erik ten Hag kanë thënë jo për arsye të ndryshme. Në veçanti, Slot, ish-trajner i Feyenoordit dhe Liverpoolit, ka shprehur dëshirën për të vijuar karrierën në futbollin e klubeve dhe nuk është i interesuar, të paktën në këtë fazë, të marrë drejtimin e një kombëtareje.
Një emër tjetër i shqyrtuar ishte Michael Reiziger, aktualisht trajner i Holandës U-21, me të cilin drejtuesit e federatës zhvilluan një bisedë eksploruese, por pa vijuar më tej. Ndërkohë, Louis van Gaal, i cili ka mbushur 75 vjeç, ka shprehur gatishmërinë për të marrë drejtimin e kombëtares për herë të katërt, por nuk është kontaktuar nga federata.

