Lamine Yamal po përjeton një verë të jashtëzakonshme. Pak javë pasi festoi 19-vjetorin, sulmuesi i Barcelonës do ta mbyllë periudhën e pushimeve me një festë madhështore, ku pritet të jenë të pranishëm më shumë se 100 të ftuar.
Yamal mbushi 19 vjeç më 13 korrik, ndërsa në të njëjtën periudhë ishte duke zhvilluar Botërorin me kombëtaren e Spanjës. Vetëm pak ditë pas ditëlindjes, ai arriti të ngrejë trofeun e Kupës së Botës, duke përjetuar një tjetër sukses të madh pas triumfit në Europian dy vite më parë. Sipas El Español, festa e ditëlindjes do të zhvillohet këtë mbrëmje në “Mas de Sant Lleí”, një rezidencë në Vilanova del Vallès, në periferi të Barcelonës, e njohur kryesisht për organizimin e dasmave dhe eventeve luksoze.
Në festë pritet të marrin pjesë mbi 100 persona, mes tyre edhe disa prej shokëve të skuadrës së tij te Barcelona. Një vit më parë, Yamal e kishte festuar 18-vjetorin në mënyrë spektakolare, me më shumë se 200 të ftuar. Në atë event morën pjesë emra të njohur të muzikës dhe showbiz-it, si Nicki Nicole, Bizarrap, Morad dhe Bad Gyal, si dhe futbollistë të Barcelonës, mes tyre Robert Lewandowski dhe Gavi. Tema e festës atëherë ishte e frymëzuar nga bota e gangsterëve. Pas pushimeve në Kolumbi, Yamal tani është gati të rikthehet në stërvitje me Barcelonën. Ai është thirrur për t’iu bashkuar skuadrës në përgatitjet parasezonale, së bashku me futbollistët spanjollë që shkuan deri në fazat e fundit të Botërorit.

