Kriza diplomatike mes Spanjës dhe Marokut, e shkaktuar nga zhvillimet e fundit në Ceuta, rrezikon të ketë pasoja edhe për organizimin e Kupës së Botës 2030. Turneu është planifikuar të organizohet bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, por projekti ka hyrë në qendër të debatit politik.
Në Spanjë, partia e majtë Sumar, e udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Yolanda Díaz, ka paraqitur një propozim në Kongres për të rishikuar bashkorganizimin e Botërorit me Marokun. Deputeti Nahuel González akuzoi Rabatin për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për përdorimin e flukseve migratore si mjet presioni politik, duke argumentuar se një ngjarje sportive e këtyre përmasave nuk duhet të shërbejë për të legjitimuar veprime të tilla. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse propozimi synon përjashtimin e Marokut nga organizimi i turneut apo tërheqjen e vetë Spanjës nga projekti i përbashkët.
Edhe në Portugali ka pasur reagime të ngjashme. Partia e majtë Livre ka kërkuar zyrtarisht që Maroku të mos jetë më pjesë e organizimit të Botërorit 2030. Nga ana tjetër, qeveria portugeze nuk ka sinjalizuar ndonjë ndryshim të qëndrimit dhe vijon të mbështesë projektin e përbashkët. Ndërkohë, në sfond mbetet edhe debati për stadiumin që do të presë finalen e Botërorit. Javët e fundit kanë qarkulluar spekulime se ndeshja vendimtare mund të zhvendoset nga Madridi në Rabat, por deri tani FIFA nuk ka konfirmuar zyrtarisht një mundësi të tillë.

