Reali ultimatum Viniciusit

Real Madridi ka vendosur të mos e zgjasë më tej pasigurinë rreth të ardhmes së Vinicius Junior. Pas muajsh negociatash pa një marrëveshje përfundimtare, klubi madrilen i ka dërguar një mesazh të qartë sulmuesit brazilian: rinovo kontratën ose largoju këtë verë.

Sipas raportimeve të “Marca”, oferta e fundit e Realit konsiderohet përfundimtare dhe nuk do të ketë përmirësime të tjera financiare. Propozimi parashikon një kontratë deri në vitin 2031, me një pagë që mund të arrijë rreth 20 milionë euro në sezon, plus bonuse. Nëse Vinicius nuk pranon kushtet e reja, klubi është i gatshëm të shqyrtojë shitjen e tij gjatë kësaj merkatoje, për të shmangur rrezikun që lojtari të largohet më vonë si futbollist i lirë. Megjithatë, Reali vazhdon ta konsiderojë brazilianin një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Drejtuesit madrilenë vlerësojnë kontributin e tij, por nuk duan të prishin strukturën e pagave në dhomën e zhveshjes. Interesi i Arsenalit për Vinicius ka shtuar presionin mbi situatën, ndërsa afrimi i mundshëm i Diomandé, një lojtar që mund të aktivizohet në të dy krahët e sulmit, i jep klubit një alternativë në rast largimi.

E ardhmja e Vinicius mbetet një nga çështjet më të nxehta në merkaton e verës, ndërsa topi tashmë është në fushën e yllit brazilian.