Deschamps, lamtumirë me “vrer” nga Franca

Trajneri largohet nga stoli i “Gjelave” mes polemikave pas vendit të 4-t. Trajneri i ri do të jetë Zinadine Zidane. Ëndërronte një lamtumirë me triumf, por duhet të kënaqet me vendin e katërt. Megjithatë, Didier Deschamps ka shkruar historinë e kombëtares franceze. Ai lë prapa një mbretëri, që zgjati 14 vjet, duke kulmuar me fitimin e Kupës së Botës në 2018-ën. Ka fituar edhe një Nations League, ka luajtur një gjysmëfinale dhe një finale Botërori, si dhe një finale Europiani.

Një trashëgimi e mirë dhe komplekse për pasuesin e tij, Zinedine Zidane. Lamtumira e Deshamps në fakt është shoqëruar me tension dhe “vrer” me disa media dhe drejtuesit e federatës. Trajneri në ikje ka refuzuar madje organizimin e një ceremonie për nder të tij. “Kam vendosur të largohem, – ka shpjeguar ish-mesfushori, – sepse klima ishte bërë e padurueshme. Është më mirë për të gjithë”. Një deklaratë thumbuese për disa media dhe disa komentatorë. Veçanërisht ndaj Christophe Dugarry, ish-koleg i Deshamps, tashmë opinionist i “RmcSport”, që e ka kritikuar gjithmonë, duke kërkuar emërimin e Zidane në postin e trajnerit të Francës.

Deshamps kishte njoftuar që në janar se do të largohej nga Franca pas Botërorit. Prej muajsh ai kishte përplasje edhe me drejtuesit e federatës. Ai nuk ndjente mbështetje të plotë përballë kritikave. Presidenti i federatës, Philippe Diallo, kishte lënë të kuptohej se e kishte zgjedhur pasardhësin, duke mos përgënjeshtruar zërat për Zidane.