Ajo që nuk arritën të bënin kundërshtarët politikë, të neutralizuar nga lëvizjet dinake të Gianni Infantinos – si zgjerimi i Kupës së Botës në 48 skuadra, duke rritur ndjeshëm vendet për Azinë dhe Afrikën, të cilat u shndërruan në bazat e tij kryesore elektorale – mund ta bëjë një gjykatë. Dhe në ndërprerjen e “mbretërimit” të Infantinos, i cili nuk ka ndërmend të largohet nga posti i tij, mund të kontribuojë pikërisht ai që duhej të ishte ulur në vendin e tij, në krye të FIFA-s, Michel Platini.
Tre herë fituesi i Topit të Artë ka paditur Infantinon në një gjykatë civile për “shpifje” dhe “trafik ndikimi”. Kjo është tentativa e tretë pas atyre të vitit 2018 dhe 2021, të cilat nuk dhanë rezultatet e shpresuara nga francezi (në të parën, fakti u deklarua i parashkruar; në të dytën, kërkesa u refuzua tetorin e kaluar). Platini ka ndërmend të nisë gjithashtu një veprim ligjor kundër FIFA-s për të marrë kompensim për dëmet e pësuara. Ai nuk dëshiron të kthehet në botën e futbollit, por, siç deklaroi në mars, “të pengojë të vazhdojnë ata që më kanë bërë keq”. A do të arrijë ai këtë para zgjedhjeve të FIFA-s në mars? Një dënim i Infantinos mund të frenojë garën e tij për zgjedhjen e katërt radhazi, e cila përndryshe duket e sigurt.

