Brozovic largohet nga Arabia Saudite

Marcelo Brozoviç është zyrtarisht një futbollist i lirë. Al Nassr ka njoftuar përfundimin e bashkëpunimit me mesfushorin kroat, i cili pas dy sezonesh në Arabinë Saudite rikthehet në tregun e transferimeve si lojtar pa kontratë.

Klubi saudit e bëri të ditur ndarjen përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar ish-mesfushorin e Interit për kontributin e dhënë gjatë qëndrimit të tij në skuadër. “Vitet e kaluara tek Al Nassr do të mbeten në kujtesë dhe nuk do të harrohen. Ishte një rrugëtim i bukur. Faleminderit, Brozoviç”, shkruhej në mesazhin e klubit.

Me përfundimin e kontratës, futbollisti kroat tashmë është i lirë të zgjedhë destinacionin e ardhshëm të karrierës së tij. 33-vjeçari mund të nënshkruajë me çdo klub si lojtar i lirë, pa pasur nevojë për pagesë transferimi.

Brozoviç iu bashkua Al Nassr-it në verën e vitit 2023, pasi mbylli një periudhë të suksesshme me Interin, ku ishte një nga mesfushorët më të rëndësishëm të skuadrës zikaltër për shumë sezone. Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i radhës në karrierën e mesfushorit kroat.