Kombëtarja e Çekisë ka mbetur pa trajner pas zhgënjimit të madh në Kupën e Botës 2026. Miroslav Koubek ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i përfaqësueses çeke, pasi skuadra u eliminua që në fazën e grupeve. Presidenti i Federatës Çeke të Futbollit, David Trunda, zhvilloi një takim me trajnerin dhe pranoi dorëheqjen e tij, duke i dhënë fund bashkëpunimit mes palëve. Në deklaratën e tij, Koubek mori përsipër përgjegjësinë për dështimin e ekipit në turneun botëror.
“Pas dështimit në Kupën e Botës, për të cilin ndihem përgjegjës si trajner, vendosa ta vë mandatin tim në duart e presidentit të Federatës Çeke të Futbollit, David Trunda. Pas diskutimeve dhe konsultimeve, presidenti e pranoi dorëheqjen time. Aventurës sime me Çekinë i erdhi fundi”, deklaroi Koubek. Eliminimi që në fazën e grupeve u konsiderua një zhgënjim i madh për futbollin çek, ndërsa Federata pritet të nisë së shpejti kërkimet për emërimin e trajnerit të ri, me synimin për të rindërtuar ekipin dhe për ta rikthyer në nivelet më të larta në kompeticionet ndërkombëtare.

