Interi i jep lamtumirën Yann Sommer-it

Interi i ka dhënë zyrtarisht lamtumirën portierit zviceran Yann Sommer. Me përfundimin e kontratës së tij, klubi zikaltër publikoi një mesazh të gjatë dhe emocionues në rrjetet sociale, duke falënderuar ‘gardianin’ për tri sezonet e kaluara në Milano dhe kontributin e tij në sukseset e skuadrës. Në deklaratën e Interit, një vend të veçantë zë paraqitja e Sommer-it në përballjen ndaj Barcelonës, e konsideruar si një nga ndeshjet më të mëdha të karrierës së tij me fanellën zikaltër. Klubi kujtoi pritjen spektakolare ndaj goditjes së Lamine Yamal në kohën shtesë, një ndërhyrje që bëri të shpërthente stadiumi “San Siro” sikur të ishte shënuar një gol.

Interi vlerësoi qetësinë, sigurinë dhe vazhdimësinë që portieri zviceran solli gjatë gjithë periudhës së tij në klub. Sipas zikaltërve, Sommer ishte një pikë referimi jo vetëm për pritjet vendimtare, por edhe për aftësinë në ndërtimin e lojës dhe drejtimin e repartit mbrojtës. Statistikat e tij flasin qartë për ndikimin që pati në ekip. Në 17 ndeshjet e para në kampionat, ai mbajti portën të paprekur plot 12 herë. Gjatë aventurës së tij me Interin, Sommer realizoi pritje vendimtare në sfida të rëndësishme ndaj Napolit, Empolit, Genoas, Romës dhe Fiorentinës, ndërsa ishte protagonist edhe në derbin që vulosi fitimin e titullit kampion.

Klubi rikujtoi gjithashtu paraqitjen legjendare ndaj Barcelonës, ku Sommer bëri disa ndërhyrje të jashtëzakonshme, përfshirë pritjen ndaj Eric García-s dhe atë spektakolare ndaj Lamine Yamal-it, të cilat hynë në historinë e klubit. Në tri sezonet e tij me Interin, portieri zviceran zhvilloi 139 ndeshje, duke e mbajtur portën të paprekur në 66 prej tyre. Ai fitoi dy tituj kampionë të Italisë, një Kupë të Italisë dhe një Superkupë të Italisë, duke u shndërruar në një nga protagonistët e suksesit të zikaltërve. Në fund të mesazhit, Interi e mbylli me një falënderim të thjeshtë, por domethënës: “Faleminderit, Yann. Ishte kënaqësi të fitonim së bashku!”