Vëllezërit Shpendi ndezin merkaton

Vëllezërit shqiptarë Stiven dhe Kristian Shpendi janë kthyer në dy nga emrat më të përfolur të merkatos verore. Sulmuesit, të cilët spikatën me paraqitjet e tyre gjatë sezonit të kaluar në futbollin italian, pritet të jenë protagonistë të lëvizjeve të rëndësishme në javët e ardhshme.

Presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi, kishte deklaruar vetëm pak ditë më parë se klubi nuk kishte marrë ende asnjë ofertë zyrtare nga Padova për Stiven Shpendin, duke shtuar se e shihte sulmuesin më pranë një transferimi te Juventusi sesa te Padova. Gjithsesi, ai theksoi se Empoli është i gatshëm të dëgjojë çdo ofertë që do të mbërrijë.

Largimi i Stivenit nga Empoli duket gjithnjë e më i mundshëm dhe një kalim në Serinë A do të ishte një hap i merituar në karrierën e tij. Sulmuesi shqiptar ishte një nga pikat më të forta të skuadrës toskane dhe luajti rol vendimtar në sigurimin e mbijetesës së ekipit, ndaj zëvendësimi i tij nuk do të jetë aspak i lehtë.
Edhe vëllai i tij, Kristian Shpendi, ka tërhequr interes të madh pas paraqitjeve me Çezenën. Për sulmuesin shqiptar kanë ardhur sinjale interesi nga klube jashtë Italisë, edhe pse deri më tani nuk është paraqitur ndonjë ofertë zyrtare. Megjithatë, mundësitë që ai të vazhdojë te Çezena duken gjithnjë e më të vogla.

Nëse transferimet realizohen, Empoli dhe Çezena do të përfitojnë financiarisht, por humbja e dy futbollistëve me cilësi si Stiveni dhe Kristiani do të krijonte boshllëqe të rëndësishme në repartin ofensiv. Merkatoja verore sapo ka hyrë në fazën më të nxehtë dhe pritet të sjellë zhvillime të reja për dy talentet shqiptare.