Portieri i Iranit, Alireza Beiranvand, ishte protagonisti kryesor në barazimin 0-0 ndaj Belgjikës në Botërorin 2026, duke realizuar disa pritje vendimtare që i siguruan skuadrës së tij një pikë të çmuar. Paraqitja e shkëlqyer i solli edhe çmimin si lojtari më i mirë i ndeshjes. Momenti që bëri diferencën erdhi në minutën e 59-të, kur gardiani 33-vjeçar ndali në mënyrë spektakolare goditjen e Maxime De Cuyper, duke shpëtuar portën e Iranit nga një gol i sigurt.
Por historia e Beiranvand është shumë më e madhe sesa një ndeshje futbolli. Ai u rrit në një familje barinjsh në rajonin e Lorestan, ku kaloi fëmijërinë duke kullotur dele. Babai i tij nuk e mbështeste ëndrrën për t’u bërë futbollist dhe dëshironte që djali të zgjidhte një profesion më të sigurt. Megjithatë, Beiranvand nuk hoqi dorë. Si adoleshent u largua nga shtëpia dhe shkoi në Tehran me para të marra hua. Ditët e para ishin tepër të vështira. Ai flinte pranë qendrave stërvitore, në rrugë dhe në ambiente të improvizuara, ndërsa për të siguruar mbijetesën punoi në larje automjetesh, në piceri, në pastrimin e rrugëve dhe në punishte rrobaqepësie.
Pas shumë sakrificash, ai arriti të depërtojë në futbollin profesionist dhe u bë portieri titullar i Iranit. Emri i tij mori famë në Botërorin 2018, kur priti penalltinë e Cristiano Ronaldos në ndeshjen kundër Portugalisë. Historia e tij e jashtëzakonshme u shndërrua më vonë edhe në film biografik, ndërsa portieri iranian mban dy rekorde botërore Guinness për hedhjet më të gjata të topit me duar nga një portier. Pavarësisht kritikave dhe polemikave që e kanë shoqëruar në disa periudha të karrierës, Beiranvand tregoi edhe një herë ndaj Belgjikës se përse konsiderohet një nga figurat më të veçanta të futbollit iranian. Nga një bari delesh në fëmijëri, ai është kthyer në një hero kombëtar dhe një simbol të vullnetit për të mos hequr dorë kurrë nga ëndrrat.

