Merkato është kryefjalë momentalisht në Shkodër e tek Vllaznia, të paktën sa i përket kontakteve dhe bisedimeve për afrime të reja. Në kampin kuqeblu po punohet intensivisht për ndërtimin e ekipit që do të përfaqësojë Shkodrën në sezonin e ardhshëm, por deri më tani konkretizimet kanë qenë të pakta. Pavarësisht emrave të shumtë që kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit, aktualisht vetëm Patrik Bardhi është zyrtarizuar si futbollist i ri i 9 herë kampionëve të vendit. Situata lidhet edhe me faktin se merkatoja e Vllaznisë vijon të mbetet e bllokuar zyrtarisht, çka ka ngadalësuar disi lëvizjet e klubit. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar drejtuesit shkodranë të vijojnë negociatat me futbollistë të ndryshëm, në përpjekje për të qenë gati sapo të hapet rruga për regjistrimin e afrimeve të reja.
Sipas informacioneve, puna më e madhe po bëhet në repartin e mbrojtjes, aty ku largimet e fundit kanë krijuar boshllëqe të rëndësishme në organikë. Kuqeblutë janë në kërkim të futbollistëve që mund të rrisin konkurrencën dhe cilësinë në vijën defensive, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më të balancuar për sezonin e ri.

