Franca, futbollistët përplasen me federatën për biletat dhe bonuset

Pak ditë para nisjes së Kampionatit Botëror 2026, në kampin e Francës kanë shpërthyer tensionet mes futbollistëve dhe Federatës Franceze të Futbollit. Shkak janë bërë kushtet e vendosura nga federata lidhur me biletat për familjarët dhe miqtë e lojtarëve, si dhe çështja e bonuseve financiare. Sipas raportimeve të mediave franceze, lojtarët janë shprehur të pakënaqur pasi secilit prej tyre do t’i jepen vetëm dy bileta falas për ndeshjet e Botërorit, ndërsa mund të blejnë edhe gjashtë të tjera.

Futbollistët e konsiderojnë këtë numër të pamjaftueshëm, sidomos duke pasur parasysh kostot e larta të udhëtimit dhe akomodimit në Shtetet e Bashkuara. Sipas “L’Equipe”, pakënaqësitë u shfaqën gjatë një takimi me presidentin e Federatës Franceze të Futbollit, ku diskutimet u zhvilluan në një atmosferë të tensionuar. Lojtarët e përshkruan ndarjen e biletave si shumë të kufizuar dhe kërkuan rishikimin e vendimit. Kjo nuk është çështja e vetme që ka krijuar pakënaqësi. Më herët gjatë këtij viti, futbollistëve francezë, mes tyre Kylian Mbappe, Ousmane Dembele dhe Rayan Cherki, u ishte kërkuar të pranonin ndryshime në sistemin e bonuseve. Federata propozoi që pagesat të shtyheshin deri në fazën gjysmëfinale për të rritur fondin total të shpërblimeve, një ide që në fund u pranua nga grupi. Ndërkohë, skuadra e Didier Deschamps vazhdon përgatitjet për turneun.