Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pranoi në natën e të dielës së formula e “Final Four” nuk kishte qenë e suksesshme dhe tashmë do të vendosej brenda dy javëve të ardhshme edhe modifikimi i formulës së kampionatit.
Por përtej dështimit të saj të dukshëm, heqja e “Final Four” dhe fundi i një kampionati të stërzgjatur diktohet edhe nga nevojat e UEFA-s, të paktën sa i përket sezonit 2026-2027. Arsyeja është se nga 17 qershori i vitit 2027, deri më 4 korrik, Shqipëria do të jetë në bashkëpunim me Serbinë pritëse e Europianit U21.
Si rrjedhojë, mbyllja e kampionatit më herët dhe pa mbingarkuar terrenet sportive, i dikton FSHF-së që të gjejë një zgjidhje tjetër duke lehtësuar kalendarin për vitin 2027 e jo duke e mbingarkuar siç ka ndodhur shpesh në vitet e fundit. Kësisoj “Final 4” do të sakrifikohet duke zgjedhur një formulë që mundëson mbylljen e shpejtë të aktivitetit, me fokusin e FSHF që për vitin e ardhshëm do të jetë i gjithi te Europiani i U21.

