Real Madridi rrezikon të paguajë një shumë shumë më të lartë se sa ishte planifikuar për rikthimin e Jose Mourinhos në “Santiago Bernabeu”. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, klubi spanjoll humbi afatin për aktivizimin e klauzolës së lirimit të trajnerit portugez nga Benfica, duke e komplikuar ndjeshëm operacionin. Mourinho raportohet se ka arritur tashmë një marrëveshje paraprake me drejtuesit madrilenë për një kontratë trevjeçare, që do ta rikthente në stolin e “Los Blancos” pas më shumë se një dekade.
Klauzola e lirimit në kontratën e tij me Benficën ishte rreth 6 milionë euro, por ajo skadoi më 29 maj. Real Madridi nuk e shfrytëzoi këtë mundësi, kryesisht për shkak të situatës së krijuar nga procesi zgjedhor për presidencën e klubit. Presidenti Florentino Perez shpalli zgjedhjet më 12 maj, ndërsa kandidatura e biznesmenit Enrique Riquelme solli vonesa në vendimmarrjet strategjike të klubit, përfshirë edhe çështjen e trajnerit të ri.
Sipas burimeve pranë negociatave, klauzola tashmë është rritur në 15 milionë euro, çka do ta detyronte Real Madridin të paguante më shumë se dyfishin e shumës fillestare për të siguruar shërbimet e teknikut portugez. Megjithatë, ende ekziston mundësia që Real Madridi dhe Benfica të arrijnë një marrëveshje të veçantë për transferimin e Mourinhos.
Deri tani, klubi portugez nuk ka dhënë sinjale se është i gatshëm të ulë kërkesat financiare. Pavarësisht pengesave, drejtuesit madrilenë mbeten të bindur për rikthimin e “Special One”, ndërsa puna për ndërtimin e stafit teknik dhe planifikimin e merkatos së verës ka nisur prej kohësh në prapaskenë.

