Bielsa njofton largimin nga Uruguaji pas Kupës së Botës

Marcelo Bielsa ka konfirmuar se do të largohet nga drejtimi i Uruguait pas përfundimit të Kupës së Botës 2026. Trajneri 70-vjeçar e bëri të ditur vendimin gjatë një aktiviteti të organizuar nga Federata e Uruguait, ku foli për fundin e aventurës së tij me kombëtaren “Celeste”. “Puna jonë do të përfundojë me Botërorin. Është një mrekulli në karrierën sportive të çdo profesionisti të marrë pjesë në një Kupë Bote”, deklaroi Bielsa.

Kontrata e teknikut argjentinas skadon pas turneut dhe ai nuk ka ndër mend ta rinovojë atë. Largimi i tij do të shënojë fundin e një cikli që nisi në maj të vitit 2023. Që nga marrja e drejtimit të Uruguait, Bielsa ka udhëhequr skuadrën në 35 ndeshje, duke regjistruar 15 fitore, 13 barazime dhe shtatë humbje. Nën drejtimin e tij, Uruguai siguroi kualifikimin për Botërorin 2026 duke e mbyllur fazën eliminatore në vendin e katërt me 28 pikë, po aq sa Brazili.

sfidanti.al