Interesimi i Interit për talentin argjentinas Nico Paz vazhdon të mbetet një nga temat më të përfolura të merkatos, ndërsa deklaratat e fundit të zëvendëspresidentit zikaltër Javier Zanetti kanë shtuar spekulimet për një transferim të mundshëm. Në një prononcim për mediat, Zanetti nuk e fshehu admirimin për mesfushorin ofensiv, kartoni i të cilit i përket Real Madrid CF, teksa aktualisht ka spikatur me paraqitjet e tij te Como 1907.
“Më pëlqen shumë Nico Paz, si për mënyrën se si luan, ashtu edhe për personin që është. Kam fatin të njoh babanë e tij, me të cilin kam ndarë dhomën gjatë Kupës së Botës 1998. Jeta na bëri të ritakoheshim në Como pas shumë vitesh. Jam i lumtur për atë që Nico po bën aktualisht. Në këto dy vite në futbollin italian ka treguar gjithë cilësinë e tij”, u shpreh Zanetti. Legjenda argjentinase la të hapur edhe mundësinë e një të ardhmeje të Nico Paz në “San Siro”, duke e cilësuar atë si një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm.
sfidanti.al

