Rodri pranë rinovimit me Man. City

E ardhmja e Rodrit duket se do të vazhdojë të jetë te Manchester City, duke i dhënë fund spekulimeve për një transferim të mundshëm te Real Madrid. Sipas raportimeve të gazetarit Matteo Moretto, mesfushori spanjoll është shumë pranë rinovimit të kontratës me klubin anglez, ndërsa një kalim në “Santiago Bernabeu” tashmë konsiderohet i përjashtuar.

Prej muajsh, Rodri ishte përfolur si objektivi kryesor i Realit për mesfushën. Mediet spanjolle kishin raportuar se drejtuesit madrilenë e shihnin fituesin e “Topit të Artë” si liderin ideal për repartin e mesfushës, jo vetëm për cilësitë në fushë, por edhe për mentalitetin dhe profesionalizmin e tij.

Vetë lojtari kishte lënë derën hapur për një transferim në Madrid. “Nuk mund t’u thuash jo klubeve më të mëdha në botë”, ishte shprehur Rodri më herët, duke pranuar se një interesim nga Reali do të ishte një nder i madh. Madje, sipas raportimeve nga Spanja, presidenti Florentino Perez kishte kontaktuar edhe me rrethin familjar të futbollistit për të kuptuar mundësinë e operacionit.

sfidanti.al