Garë e nxehtë në Serie A, por këtë fundjavë gjithçka do të zhvillohet në një orar të pazakontë: në orën 12:30 të mesditës të së dielës. Vendimi është konfirmuar nga drejtuesi ekzekutiv i ligës, Luigi De Siervo, i cili ka shpjeguar arsyet pas këtij ndryshimi të madh në program. Ndeshja më e rëndësishme e javës, Derbi i Romës mes Romës dhe Lazios, do të luhet në orën 12:30, një vendim i pazakontë për një duel të tillë. Sipas De Siervo-s, ky orar është zgjedhur për arsye sigurie dhe organizimi, pasi mbrëmja në kryeqytetin italian është konsideruar problematike për zhvillimin e një ndeshjeje me rrezik të lartë.
“Çdo alternativë tjetër nuk ishte e mundur. Në mbrëmje në Romë nuk mund të luhet një derbi i tillë pas incidenteve që janë regjistruar më herët,” u shpreh ai. Për të ruajtur drejtësinë sportive në garën për vendet e Champions League, në të njëjtin orar do të luhen edhe disa ndeshje të tjera të rëndësishme: Genoa – Milan, Juventusi – Fiorentina, Como – Parma dhe mundësisht Pisa – Napoli.

