E ardhmja e Nedim Bajramit te Rangers duket drejt fundit, pasi trajneri Dani Rohl ka vendosur që mesfushori ofensiv të mos jetë pjesë e planeve për sezonin e ardhshëm. Burime pranë klubit bëjnë të ditur për mediat angleze se tekniku gjerman synon të reduktojë skuadrën dhe të krijojë hapësira për afrime të reja, ndërsa Bajrami është ndër emrat që pritet të largohet. Që prej marrjes së drejtimit të skuadrës në tetor, Rohl e ka mbajtur 27-vjeçarin në periferi të ekipit, duke mos i dhënë një rol të rëndësishëm. Një nga destinacionet më të mundshme për Bajramin mbetet Serie A, një kampionat që ai e njeh shumë mirë. Pikërisht në Itali, me fanellat e klubeve si Empoli dhe Sasuolo, mesfushori shqiptar ka kaluar periudhat më të mira të karrierës së tij, duke u dalluar për kreativitetin dhe aftësinë për të ndikuar në fazën sulmuese.

