Chelsea duket se ka humbur përfundimisht durimin me Alejandro Garnacho-n, i cili pritet të dalë në merkato vetëm tetë muaj pas transferimit të tij nga Manchester United për rreth 47 milionë euro.
Sipas mediave angleze, drejtuesit e klubit londinez janë të vendosur ta shesin 21-vjeçarin gjatë verës, pas një sërë paraqitjesh zhgënjyese. Ndeshja e fundit ndaj ish-skuadrës së tij ishte pika që derdhi gotën: Garnacho, i aktivizuar si titullar në vend të të dëmtuarit Estêvão, nuk arriti të realizonte asnjë driblim, humbi shumë topa dhe ishte thuajse i padukshëm në sulm.
I afruar me shumë pritshmëri si një investim për të tashmen dhe të ardhmen, Garnacho nuk ka arritur të imponojë veten në “Stamford Bridge”. Ai nuk ishte titullar as nën drejtimin e Enzo Maresca-s dhe vazhdon të mbetet në plan të dytë edhe me trajnerin aktual Liam Rosenior, duke u lënë pas në hierarki nga Estêvão në krahun e djathtë dhe Pedro Neto në të majtë.
sfidanti.al

