Conte refuzon Italinë

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, ka reaguar ndaj zërave që e lidhin me drejtimin e kombëtares së Italisë, duke i mohuar kategorikisht ato.

Pas largimit të Gennaro Gattusos nga pankina e “Azzurëve”, emri i Contes është përmendur si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar. Dorëheqja e Gattusos erdhi pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke krijuar një boshllëk të madh në drejtimin e përfaqësueses italiane.

Megjithatë, Conte ka qenë i qartë dhe i prerë në deklaratat e tij, duke theksuar se nuk ka ndërmend të largohet nga Napoli në këtë moment.

“Nuk kam thënë kurrë që jam i gatshëm. Kam ende një vit kontratë me Napolin dhe në fund të sezonit do të flas me presidentin”, u shpreh ai.

Tekniku italian shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar mediat për interpretimin e gabuar të fjalëve të tij: “Ju bëj thirrje të fortë që t’i interpretoni fjalët e mia saktë. Përndryshe, nëse vazhdojnë të shtrembërohen, nuk do të flas më fare”. Ndërkohë, situata te Napoli duket se është stabilizuar në kampionat.

Pas barazimit në transfertë ndaj Parmës në fundjavë, skuadra napolitane duket se është pajtuar me vendin e dytë në Serie A, duke e pasur të vështirë të rikuperojë diferencën me kreun.

Në këtë fazë të sezonit, fokusi i Contes mbetet te përfundimi sa më i mirë i kampionatit me Napolin, ndërsa çështjet për të ardhmen pritet të diskutohen vetëm pas mbylljes së sezonit.