Pas deklaratave të Massimiliano Allegrit për dorëzimin e Milanit nga gara për titullin, një tjetër emër i madh i futbollit europian ka bërë të njëjtin hap. Bëhet fjalë për José Mourinho-n, i cili ka pranuar publikisht se skuadra e tij nuk është më në garë për vendin e parë në kampionatin portugez.
Trajneri portugez i Benfica-s, dukshëm i irrituar pas barazimit ndaj Casa Pia, nuk i kurseu kritikat. “Gara për të dalë të parët ka përfunduar. Duhej patjetër të fitonim, por humbëm dy pikë dhe bashkë me to edhe mundësinë për të synuar objektivin maksimal”, u shpreh ai. Mourinho shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke lënë të kuptohet se mund të marrë vendime të forta ndaj disa lojtarëve të skuadrës. “Duhet të reflektoj, sepse kam dëshirë që disa futbollistë të mos i aktivizoj më”, deklaroi “Special One”, duke rritur tensionin brenda ekipit.
Ky reagim vjen në një moment të nxehtë për futbollin portugez, ku vetëm pak ditë më parë Benfica kishte ngritur akuza për favore arbitrale ndaj Sporting Lisbonës, duke shtuar polemikat për garën e titullit. Deklaratat e Mourinho-s konfirmojnë një situatë të vështirë për skuadrën e tij, ndërsa sezoni po hyn në fazën vendimtare dhe tensioni sa vjen e rritet.
sfidanti.al

