Kampioni i Maratonës së New York-ut, pezullohet për pesë vjet për doping

Albert Korir, fitues i Maratonës së New York-ut në vitin 2021, është pezulluar për pesë vjet pas rezultatit pozitiv në një test antidoping, njoftoi të hënën Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU). Atleti kenian, 32 vjeç, rezultoi pozitiv për një derivat sintetik të eritropoietinës (EPO), substancë që stimulon prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Korir e pranoi shkeljen në janar, pas marrjes së njoftimit për pezullimin provizor, dhe pranoi periudhën fillestare të pezullimit prej gjashtë vjetësh. “Sportisti përfiton një ulje prej një viti të periudhës së ndalimit për garë, pasi ka pranuar shkeljet ndaj rregullave antidoping dhe ka pranuar sanksionin e aplikuar”, njoftoi AIU, duke shtuar se pezullimi do të vlejë nga 8 janari 2026 deri më 7 janar 2031.

Korir, i cili gjithashtu ka fituar Maratonën e Otavës në Kanada në vitet 2019 dhe 2025, është rasti i fundit që njollos atletikën keniane, edhe pse Agjencia Botërore Antidoping (WADA) kishte deklaruar në tetor të vitit të kaluar se Kenya kishte bërë “progres të rëndësishëm” në luftën kundër dopingut.

sfidanti.al