Bayerni i Mynihut nuk ka asnjë qëllim të heqë dorë nga Harry Kane, përkundrazi, e konsideron atë një nga shtyllat kryesore të projektit për të ardhmen. Këtë e ka konfirmuar drejtuesi historik i klubit bavarez, Uli Hoeness, në një intervistë për “Kicker”.
Hoeness theksoi se rinovimi i kontratës me sulmuesin anglez do të ishte një “ëndërr” për klubin, duke nënvizuar rëndësinë e tij si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Kane, i cili është i lidhur me Bayernin deri në vitin 2027, konsiderohet ende në kulmin e karrierës. “Ai kujdeset për trupin në mënyrë të jashtëzakonshme dhe mund të qëndrojë në nivele të larta edhe për tri apo katër vite të tjera,” u shpreh Hoeness. Gjithashtu, përshtatja e tij në Bavari ka qenë perfekte, pasi edhe familja e tij është integruar shumë mirë në jetën e përditshme në Gjermani. Megjithatë, drejtuesi bavarez nuk përjashtoi plotësisht skenarë të tjerë: “Nuk i dihet kurrë, nëse një klub nga Arabia Saudite vjen me një ofertë të madhe…”, tha ai, duke lënë të kuptohet se tregu mund të sjellë surpriza.
Në fund, Hoeness bëri edhe një krahasim të fortë për vlerën e sulmuesit anglez: “Nëse për Alexander Isak janë paguar 150 milionë euro, atëherë sot Kane vlen 250 milionë.”
sfidanti.al

