Karriera e Tiger Woods-it, një nga golfsitët më të mirë të të gjitha kohërave me 15 tituj madhorë, është njollosur herë pas here nga një seri skandalesh jashtë sportit që kanë tronditur reputacionin e tij. Pavarësisht suksesit, famës dhe kontratave shumëmilionëshe, trashëgimia e kalifornianit 50-vjeçar ka qenë në rrezik për shkak të problemeve që shkojnë nga tradhtitë deri te aksidentet rrugore dhe problemet me ligjin.
Episodi më i fundit ndodhi në vitin 2026, kur Woods u ndalua përsëri në Jupiter Island, Florida. Golfisti humbi kontrollin e Land Rover-it të tij gjatë një përpjekjeje për të parakaluar një kamion në një zonë të ngushtë, duke përmbysur automjetin. Megjithëse doli i paprekur dhe me këmbët e veta, ai u ndalua pasi refuzoi të kryente një test narkotikësh, që konsiderohet një shkelje e vogël në Florida. Testi i alkoolit rezultoi negativ, por autoritetet dyshojnë se ai mund të kishte drejtuar nën efektin e medikamenteve. Woods qëndroi tetë orë në paraburgim para se të lirohej me garanci dhe tani përballet me akuza për drejtim nën ndikimin e substancave (DUI), refuzim testimi dhe dëme materiale.
Ky nuk ishte problemi i parë i sportistit me ligjin. Në vitin 2017, ai u gjet nga policia duke fjetur brenda makinës së tij me motorin ndezur, pranë rezidencës së tij në Jupiter. Arrestimi ndodhi si pasojë e një “kombinimi aksidental të medikamenteve të përshkruara”, sipas pretendimeve të tij, pasi raporti toksikologjik zbuloi praninë e disa substancave.
Pika e kthesës në jetën publike erdhi në vitin 2009, me zbulimin e tradhtive të shumta ndaj gruas së tij të atëhershme, Elin Nordegren. Ai vetë pranoi se kishte pasur 120 dashnore gjatë pesë viteve të martesës dhe bëri një listë të të gjitha grave si pjesë e trajtimit për varësinë nga seksi.
Skandali kulmoi me një aksident spektakolar me makinë. Gruaja e tij duhej ta shpëtonte duke thyer një dritare të automjetit me një shufër golfi. Episodi çoi në një proces divorcimi, i përfunduar në gusht të 2010-ës, që i kushtoi 125 milionë euro dhe shkatërroi reputacionin e tij në mbarë botën.

