FIFA bllokon Tiranën dhe Vllazninë

Tirana ka marrë një goditje të rëndë nga FIFA, e cila ka vendosur të ndalojë regjistrimin e lojtarëve të rinj për bardheblutë, që nga data 3 mars. Zakonisht vendime të tilla lidhen me pagat e papaguara ndaj ish-lojtarëve, të cilët zgjedhin të ndjekin çështjen në rrugë ligjore.

Aktualisht, dy klube të Superiores janë të bllokuar: Tirana dhe Vllaznia. Ky vendim ndodh në një moment shumë të ndjeshëm për kryeqytetasit, të cilët ndodhen në vendin e parafundit dhe po luftojnë për mbijetesën në elitë.

Ndërkohë edhe Vllaznia është goditur sërish nga FIFA, e cila ka vendosur të ndalojë regjistrimet e lojtarëve të rinj për kuqeblutë. Mësohet se ky vendim drastik u mor më 27 shkurt dhe do të zbatohet për një periudhë të pacaktuar.

Kjo nuk është hera e parë që Vllaznia përballet me masa të tilla nga FIFA. Klubi shkodran është mësuar me çështjet e hapura pranë federatës botërore për shkak të mosmarrëveshjeve me pagesat e lojtarëve.

Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe gjatë merkatos së dimrit, por atëherë Vllaznia arriti ta zhbllokonte merkaton dhe të huazonte sulmuesin Kevin Dodaj. Aktualisht, kuqeblutë kryesojnë renditjen e Superiores me 5 pikë avantazh ndaj Elbasanit dhe Egnatias.
Ndeshja e radhës për ekipin e trajnerit Edi Martini do të zhvillohet në Vlorë, kundër Flamurtarit. Ky takim është planifikuar për të dielën, më 8 mars, duke filluar nga ora 18:00.

Ky vendim i FIFA-s vjen në një moment vendimtar për Vllazninë, e cila synon të mbajë kryesimin dhe të forcojë pozitat për titullin në Superiore, pavarësisht pengesave administrative dhe financiare.

Megjithatë, merkato ka mbyllur dyert dhe Tirana ka siguruar lojtarët që kishte në plan të afronte. Fokusi i ekipit të Orges Shehit mbetet i gjithë në kampionat, ku të dielën bardheblutë do të presin në stadiumin “Selman Stërmasi” skuadrën e Elbasanit.

Ky bllokim nga FIFA paraqet një sfidë shtesë për Tiranën, që duhet të përballet me presionin e rezultateve dhe të ruajë pozitat e saj në garën për mbijetesë, duke u mbështetur edhe te përkrahja e tifozëve dhe përkushtimi i lojtarëve të rinj.

sfidanti.al