Dinamo shkon në derbin e së hënës kundër Partizanit në kushtet më të mira të mundshme pasi i ka dhënë fund krizës së rezultateve dhe mungesës së fitoreve në vitin 2026. Dinamo-Partizani është një ndeshje me rëndësi të veçantë pasi mund të vendosë shumë për fatin e katërshes finale që do të luftojë për titullin.
Skuadrat kanë nga 39 pikë, por blutë kanë avantazhin e dy fitoreve direkt kundër të kuqve deri tani dhe do t’u leverdiste edhe barazimi në pikë në renditjen përfundimtare. Mungesa e fitoreve të Dinamos që nga derbi i fazës së dytë, në 23 dhjetor 2025, bëri që Partizani të shkurtonte vazhdimisht distancën deri sa i arriti blutë.
Javën e kaluar, skuadra e Ilir Dajës arriti fitoren e parë të vitit 2026, 2-1 në Vorë, ndërkohë që të mërkurën siguroi edhe gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 2-0 me Tiranën, ndoshta një formalitet pas fitores në takimin e parë çerekfinal, që megjithatë vlen për krijimin e atmosferës pozitive.
sfidanti.al

