Brajan Gruda në planet e Gjermanisë

Sulmuesi shqiptar Brajan Gruda është në planet e Gjermanisë dhe ka gjasa reale për t’u ftuar në Kampionatin Botëror 2026. Kështu ka deklaruar trajneri Julian Nagelsmann. Gruda po heziton të luajë për Shqipërinë duke ëndërruar një ftesë të Gjermanisë, ndërsa gjasat që të bëhet lojtari më i ri kuqezi po zvogëlohen. Me kalimin te Leipzigu, Gruda ka fituar sërish vëmendjen e Nagelsmann dhe i tëra që i mbetet është të shënojë dhe asistojë më shumë.

“Mendoj se po kalon formë të mirë te Leipzigu. E kam pasur në listë gjatë përgatitjeve për Kampionatin Evropian që e zhvilluam në shtëpi. Ka shumë kualitet, por besoj se në atë kohë ai nuk e realizoi plotësisht se kishte shanse për të qenë pjesë e skuadrës për Evropian. Në fund, vlejnë golat dhe asistimet. Për nivelin e kualitetit të tij, ende nuk është e mjaftueshme”, deklaroi tekniku gjerman. Ndërkohë, Shqipëria po e pret Grudën prej më shumë se një viti, ndërsa po përgatiten për play-offin e Botërorit, që zhvillohet në fundin e këtij muaji.

sfidanti.al