Drita ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit kosovar me aventurën e saj evropiane këtë sezon. Kampionia e Kosovës arriti të shkonte më larg se çdo klub tjetër nga vendi, duke zhvilluar 16 ndeshje, regjistruar fitore të mëdha dhe siguruar mbi 6 milionë euro të ardhura për klubin.
“Intelektualët” e nisën aventurën nga raundi i parë i UEFA Champions League, ku shënuan një arritje historike si klubi i parë kosovar që e kalon këtë fazë. Megjithatë, në raundin e dytë u eliminuan, duke kaluar më pas në Ligën e Evropës, ku u ndalën nga gjiganti rumun FCSB. Për të siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve, Drita luajti play-offin e UEFA Conference League kundër Differdange dhe e mposhti në të dy ndeshjet, duke u bërë klubi i dytë kosovar që arrin në këtë fazë, pas Ballkanit.
Edhe në fazën e grupeve, Drita tregoi mentalitet të fortë: nga gjashtë ndeshje arriti tetë pikë, rekord i paprecedent për një klub kosovar, duke siguruar biletën për në play-off. Në këtë fazë, skuadra u përball me Celjen e Milot Avdylit dhe u eliminua pas dy humbjeve të ngushta. Përveç suksesit sportiv, Drita përfitoi mbi 6 milionë euro të ardhura, duke konsoliduar pozicionin e saj si klub lider në Kosovë. Tani, skuadra është e fokusuar te mbrojtja e titullit kampion, me shpresën për të përsëritur aventurën historike të këtij sezoni. Aktualisht, Drita kryeson tabelën, një pikë përpara Ballkanit dhe Prishtinës.
sfidanti.al

