Bëri përshendetjen naziste, tifozin e Realit e pret përjashtimi anëtar i klubit

Real Madridi ka njoftuar zyrtarisht hapjen e një procesi për përjashtimin e menjëhershëm të një anëtari të klubit, i cili u kap nga kamerat duke bërë një përshëndetje naziste në tribunat e “Santiago Bernabéu Stadium” para fillimit të ndeshjes ndaj Benfica-s. Incidenti ndodhi përpara sfidës së kthimit të “play-off”-it në kuadër të UEFA Champions League, takim që përfundoi me fitoren 2-1 të madrilenëve (3-1 rezultati i përgjithshëm). Personi në fjalë ndodhej në tribunën e njohur si “Grada Fan” dhe u identifikua menjëherë nga shërbimet e sigurisë së klubit, pasi pamjet u transmetuan drejtpërdrejt gjatë ndeshjes.

Sipas komunikatës zyrtare, pas identifikimit ai u përjashtua menjëherë nga impianti sportiv, ndërsa klubi ka nisur procedurat disiplinore për përjashtimin e tij si anëtar. Në reagimin e publikuar, Real Madridi dënoi ashpër veprime të tilla, duke theksuar se “këto gjeste dhe shprehje që nxisin dhunë dhe urrejtje në sport dhe në shoqëri janë plotësisht të papranueshme”. Klubi madrilen ritheksoi angazhimin e tij kundër çdo forme diskriminimi dhe ekstremizmi, duke garantuar masa të rrepta ndaj çdo sjelljeje që cenon vlerat e sportit dhe respektit.

sfidanti.al