Eliminimi i Interit nga Bodo/Glimt në play-off-in e Ligës së Kampionëve ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Zikaltrit u mposhtën 2-1 në “San Siro”, pasi kishin humbur edhe ndeshjen e parë 3-1 në Norvegji, duke i dhënë fund aventurës evropiane në mënyrë të papritur. Ish-trajneri legjendar i Milanit, Arrigo Sacchi, reagoi ashpër në një analizë për La ‘Gazzetta dello Sport’, duke theksuar se “duhet të shtrohen disa pyetje” për nivelin aktual të futbollit italian.
“E pranoj se kisha shumë besim te Interi. Mendoja se do të kalonin turin për tri arsye: superioritetin teknik, formën e mirë të skuadrës dhe shtysën e tifozëve në ‘San Siro’. Por gjithçka u shua,” shkroi Sacchi. Ai e cilësoi eliminimin si sensacional, duke marrë parasysh diferencën në buxhet, cilësi dhe të ardhura mes dy klubeve. Sipas tij, Interi e komplikoi rrugën që në fazën e parë, kur pas katër fitoreve radhazi pësoi tri humbje dhe u detyrua të luante në play-off. “Avantazhi i ndërtuar në fillim duhej menaxhuar më mirë,” theksoi ai.
Sacchi shtoi se fakti që një skuadër norvegjeze eliminoi përfaqësuesen më të fortë të Italisë tregon ose një barazim të nivelit, ndoshta në rënie, ose nevojën për reflektim serioz. Ai paralajmëroi se zhgënjimi evropian mund të ndikojë edhe në garën për titulli në Serie A, ku Interi ka një avantazh prej 10 pikësh. Ndërkohë, përfaqësueset e tjera italiane në Champions, Juventus dhe Atalanta, përballen me sfida të vështira për të mbajtur gjallë shpresat e Italisë në Evropë.

